
PROGRAMI YNË PËR KAÇANIKUN
MUNDËSI PËR TË GJITHË
Do ta gjallërojmë ekonominë lokale dhe do të punojmë për ta mbështetur rritjen e aktivitetit ekonomik. Kemi planifikuar programe që krijojnë mundësi të reja punësimi dhe mbështesin sipërmarrjet e rinisë në sferën ekonomike. Krijimi i bazave për zhvillimin e turizmit dhe krijimit të një pakete të plotë turistike.
Masa konkrete:
Krijimi i Parkut Industrial pranë hyrjes së autostradës për biznese prodhuese dhe shërbime.
Ndërtimi i zonës ekonomike për turizëm malor dhe kulturor (Brezovica-Luboten) për të rritur vizitueshmërine dhe aktivitetin turistik.
Mbështetje financiare dhe mentorim për start-up-et e të rinjve dhe grave për të inkurajuar sipërmarrjen.
Organizimi i panaireve dhe krijimi i platformave digjitale për promovimin e artizanateve dhe produkteve vendore.
Lehtësira fiskale për investitorët që hapin vende pune të qëndrueshme dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik lokal.
Prodhimi vendas – Prioritet qeverisës
Bujqësia është shtylla e zhvillimit ekonomik lokal dhe siguria ushqimore. Kaçaniku ka potencial të madh për fermerë, pemëtar dhe blegtorë, por ky potencial shpesh mbetet i pashfrytëzuar.
Programi ynë synon rritjen e prodhimtarisë, përmes mbështetjes direkte, qendrave grumbulluese dhe rrjeteve vaditëse të funksionalizuara.
Projektet dhe programet tona:
- Subvencione direkte për fermerët dhe blegtorinë.
- Shfrytëzimi i tokave të pashfrytëzuara për bujqësi dhe projekte agro-ekonomike.
- Krijimi i qendrave grumbulluese dhe frigoriferike për prodhimet bujqësore.
- Rrjet vaditës funksional për të gjitha zonat bujqësore.
- Mbështetje për pemëtarinë, frutat e imta dhe prodhimet e specializuara.
- Zyrë këshilluese për aplikime në grante dhe donacione, duke ndihmuar fermerët në zhvillim dhe inovacion.
- Themelimi i programit për subvencionimin e Agroturizmit në fshatrat tona.
- Organizimi i tregut të gjelbër në koordinim me fermerët e Komunës sonë.
URA E ZHVILLIMIT DHE E BASHKËPUNIMIT
Mërgata jonë është pjesë e pandashme e Kaçanikut. Ajo nuk është vetëm një lidhje emocionale me vendlindjen, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme për investime, njohuri dhe zhvillim ekonomik. Programi ynë synon të ndërtojë ura të forta bashkëpunimi ku përvojat dhe resurset e mërgatës të kthehen në përfitime reale për qytetin dhe fshatrat.
Masa konkrete:
Organizimi i panaireve dhe forumeve vjetore me bizneset dhe profesionistët nga diaspora.
Krijimi i Zyrës për Lidhje me Mërgatën pranë Komunës për koordinim institucional dhe ekonomik.
Skema të përbashkëta bashkëfinancimi me bizneset e diasporës për projekte zhvillimore në Kaçanik.
Mbështetje për inicimin e projekteve që lidhen me transferimin e njohurive, teknologjisë dhe praktikave të mira nga mërgata.
Inkurajimi i investimeve që krijojnë vende pune dhe rrisin konkurueshmërinë e ekonomisë lokale.
VENDIME QË BUROJNË NGA KOMUNITETI
Ne besojmë se çdo qytetar duhet të ketë mundësi të ndikojë drejtpërdrejt në vendimet që e prekin jetën e tij. Programi ynë për buxhetim me pjesëmarrje do t’i lejojë secilës lagje, fshat apo qytetin e tij të vendosë prioritetet e veta për infrastrukturë dhe projekte publike, duke siguruar transparencë, drejtësi dhe efektivitet.
Masa konkrete:
- Secila lagje dhe fshat do të vendosë për prioritetet infrastrukturore për çdo vit buxhetor.
- Organizim i takimeve vjetore me qytetarët për diskutimin dhe miratimin e projekteve.
- Platformë online për propozim dhe votim të drejtpërdrejtë mbi projektet lokale.
- Raportim transparent para qytetarëve mbi shpenzimet dhe realizimin e projekteve.
Masa të tjera për vendimmarrje të përgjithshme të komunës:
- Konsultime publike të rregullta për projektet kapitale.
- Raportim çdo 6 muaj para qytetarëve për ecurinë e projekteve.
- Platformë digjitale për ankesa, ide dhe propozime nga qytetarët.
- Aktivizimi i Këshillave Lokale në çdo lagje dhe fshat.
QYTET MODERN DHE FSHATRA FUNKSIONALE
Infrastruktura është baza e zhvillimit, lëvizjes dhe cilësisë së jetës. Kaçaniku ka nevojë për rrugë të sigurta, ura të qëndrueshme, ndriçim dhe hapësira publike funksionale. Programi ynë synon të krijojë të krijojë një rrjet të lidhur, modern dhe të menaxhuar mirë, duke përfshirë zhvillimin e zonave turistike.
Projektet tona infrastrukturore konkrete:
- Rruga Kaçanik – Runjevë – Stagovë dhe lidhja e Rr. Kaçanik i Vjetër me autostradën në Gerlicë.
- Rehabilitimi dhe zgjerimi i Rr. Kaçanik i Vjetër – Begracë.
- Rruga Rambuje – Shtrazë dhe bashkimi i lagjes Rakoc (projekt ideor).
- Asfaltimi Rr. Strazhë – Luboten në gjatësinë 2.5 km.
- Ndërtimi i urës Nikaj – Biqec dhe rregullimi i përroit në fshatin Biqec.
- Ndërtimi i urës në Stagovë
- Parking i nëntokësor me 120 vende (projekt ideor).
- Rregullimi shtratit të lumit Nerodimë me dy diga lëvizëse.
Nga buxheti komunal: - Asfaltimi i rrugëve në fshatin Provoli.
- Asfaltimi i rrugës tek banorët e fshatit
- Gjurgjedell në Kashan.
- Rregullimi i kalldërmit në pjesën e vjetër të qytetit.
- Asfaltimi i rrugëve në fshatin Stagovë.
- Zgjerimi i rrugëve në Kaçanik të Vjetër.
- Asfaltimi i rrugëve brenda lagjeve të qytetit që aktualisht janë me kubëza.
- Asfaltimi i rrugëve lokale në fshatin Begracë, Doganaj, Semajë, Llanishtë, Glloboçicë, Vatë, Kovaçec dhe Biçec.
- Asfaltimi i rrugës në Dubravë, që lidh Vishajt me Topallt.
- Rehabilitimi i rrugës së fshatit Gajre, Ivajë, Bob.
- Asfaltimi i rrugës Qemajl Guri, Nerimane Guri në fshatin Nikaj.
- Afaltimi i rrugës në Krivanjevë, te Stanet e Brrutve, te Qami, Sllatinë dhe në të gjitha pikat panoramike të Kaçanikut.
QYTET I PASTËR, I GJELBËR DHE FUNKSIONAL
Shërbimet publike dhe mjedisi i pastër janë themeli i një qyteti të shëndetshëm dhe të sigurt.
Programi ynë synon të sigurojë shërbime të qëndrueshme, menaxhim të ujit dhe mbeturinave, ndriçim publik efikas dhe hapësira gjelbëruese që përmirësojnë cilësinë e jetës së çdo qytetari.
Veprime e investime konkrete:
- Investimi në rrjetin e ujësjellësit me stacione pompimi, shpimi dhe rezervuarë.
- Themelimi i Ndërmarrjes Publike “EKO-Kaçaniku” për mirëmbajtjen e hapësirave publike.
- Ndërtimi i kolektorëve nga Gërlica tek Guri i Shpuar dhe nga Doganajt tek Guri i Shpuar
- Rrjet i kanalizimit në qytet dhe fshatra.
- Ndriçim publik i plotë dhe efikas në të gjitha vendbanimet.
- Pastrimi i lumenjve Nerodime dhe Lepenc, dhe ndalimi i prerjeve ilegale.
- Gjelbërim dhe pyllëzim i zonave të zhveshura.
- Krijimi i Qendrës së Sortimit të Mbeturinave – Gërlicë.
- Parqe, kënde lojërash dhe mbjellja e 25,000 luleve në qytet.
KUJDES PËR SECILIN
Shëndetësia primare është një ndër treguesit kryesorë të mirëqenies lokale dhe një tregues i drejtpërdrejtë i respektit për qytetarin. Ne synojmë që asnjë qytetar në Kaçanikut të ketë akses në shërbime shëndetësore cilësore, afër vendbanimit të tij, me trajtim profesional dhe infrastrukturë moderne. Ne besojmë se parandalimi është i rëndësishëm aq sa trajtimi, dhe për këtë arsye do të forcojmë dhe zgjerojmë programet e shërbimeve preventive.
Masat tona për të transformuar shërbimin shëndetësor në Komunën tonë:
- Rinovimi dhe pajisja bashkëkohore për të gjitha qendrat mjekësore.
- Zgjerimi i shërbimit shëndetësor në fshatrat ku ka mungesa.
- Ndërtimi i rrjetit të laboratorëve publik në qendrat shëndetësore duke siguruar kryerjen e të gjitha analizave që duhet të bëhen në sistemin primar publik.
- Pajisja dhe funksionalizimi i QKMF me laborator 24-orësh dhe ekipe shëndetësore për shërbime paliative.
- Nisja e programit për vizitat sistematike shëndetësore tek fëmijët në çerdhe, nxënësit në shkolla, dhe për personat mbi 65 vjeç, duke përfshirë edhe shëndetin oral dhe atë të syve.
- Mbështetje dhe rritje e stafit specialistik të mjekësisë familjare.
- Barnatore funksionale brenda QKMF me farmacistë.
- Edukim dhe fushata preventive për shëndetin publik nëpër shkolla dhe komunitete.
ARSIM ME CILËSI E ME PËRGJEGJËSI
Arsimi është themeli i së ardhmes së shoqërisë. Ne besojmë se çdo fëmijë ka të drejtë të mësojë në një mjedis të sigurt e frymëzues ku mësimi nuk kufizohet vetëm në orët e shkollës, por është gjithëditor. Arti, sporti dhe aktivitetet krijuese duhet të jenë pjesë e pandashme e zhvillimit të nxënësve pas orarit të mësimit.
Për ne, arsimimi është i lidhur ngushtë me përgjegjësinë. Nuk mund të flasim për shkolla të suksesshme pa mësues të përgatitur, laboratorë funksionalë, transport të sigurt për nxënësit dhe kushte të barabarta për të gjithë. Çdo investim në arsimin publik është një investim në qytetarët e nesërm, në rininë që do të krijojë punë, ide dhe zhvillim ekonomik e shoqëror.
Masa tona do të nisin me:
- Ndërtimi dhe përfundimi i shkollave “Emin Duraku” dhe “Ali Asllani” me kushte moderne dhe laboratorë funksionalë.
- Tre çerdhe të reja dhe një objekt i adaptuar në qytet, me ushqim të shëndetshëm dhe ambiente të sigurta.
- Zbatimi i mësimit gjithëditor, duke përfshirë programin e artit dhe sportit në shkolla. Nisja e programit me dy shkolla që plotësojnë kushtet, me fokus në teknologji, laboratorë dhe digjitalizim.
- Trajnime profesionale dhe transport falas për nxënësit, për të siguruar qasje të barabartë në arsim.
- Dyfishim i bursave për nxënës e studentë me sukses të lartë dhe ata në nevojë.
- Departizim i arsimit dhe krijimi i platformave për pjesëmarrje të prindërve në vendimmarrje.
PËR SHKOLLAT, QYTETIN DHE FSHATRAT
Siguria është e drejtë themelore e çdo qytetari dhe një nga prioritetet kryesore të qeverisjes sonë. Ne besojmë se çdo fëmijë duhet të ndihet i mbrojtur në shkollë, çdo familje të jetë e sigurt në lagjen e saj, dhe çdo qytetar të ketë qasje të menjëhershme në shërbime emergjente. Siguria nuk është vetëm një përgjegjësi e policisë, por përfshin gjithë komunitetin dhe institucionet publike, duke krijuar bashkëpunim dhe koordinim efektiv.
Programi ynë do të sigurojë mbrojtje të gjithanshme: nga siguria në shkolla, te menaxhimi i emergjencave në qytet dhe fshatra, deri te shërbimet e zjarrfikësve. Një qytet i sigurt është një qytet ku zhvillimi ekonomik, social dhe kulturor duhet të zhvillohet pa pengesa.
Planet tona në bashkëpunim me Policinë e shtetit janë:
- Vendosja e sistemit të sigurisë në shkolla me kamera dhe mbikëqyrjes dhe stafe sigurie.
- Bashkëpunim me policinë për patrullime aktive në qytet dhe fshatra.
- Përmirësimi i koordinimit të shërbimeve emergjente dhe krijimi i një linje të përhershme komunikimi me qytetarët.
- Furnizim me pajisje dhe trajnime për zjarrfikësit dhe ekipet emergjente në koordinim me Agjencinë e Emergjencave.
- Krijimi i planeve të evakuimit dhe simulimeve periodike në shkolla dhe institucionet publike.
- Krijimi dhe fushata ndërgjegjësuese për qytetarët mbi sigurinë dhe parandalimin e incidenteve.
USHQIM I SHËNDETSHËM PËR NXËNËSIT DHE QYTETARËT
Çdo fëmijë në çerdhe dhe shkollë e meriton të ketë ushqim të shëndetshëm dhe të sigurt. “Kuzhina Qendrore” nuk është thjeshtë një ndërmarrje, por një standard i ri që garanton cilësi, higjienë dhe efikasitet në shërbim.
Ky program lidh ushqimin e shëndetshëm me zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e prodhuesve lokalë. Ai siguron gjithashtu mundësi për partneritet me palë të treta, duke krijuar një zinxhir të qëndrueshëm ushqimi nga fermeri tek qytetari.
Ne planifikojmë që shërbimet e Kuzhinës Qendrore t’i ofrojmë edhe për qytetarët publikë në Komunën tonë dhe për kompanitë private, duke e kthyer në fitimprurëse ndërmarrjen publike që do të themelohet për këtë arsye.
Masat e drejtpërdrejta:
- Themelimi i Ndërmarrjes Komunale “Kuzhina Qendrore” për sigurimin e ushqimit në shkolla dhe çerdhe.
- Shërbime ushqimore për qytetarët, zyrtarët publik dhe kompanitë private.
- Implementimi i standardeve të larta higjienike dhe ushqimore në të gjitha shërbimet e ofruara.
- Përdorimi i produkteve vendore dhe mbështetja e prodhuesve lokalë në furnizimin e Kuzhinës Qendrore.
- Monitorim dhe vlerësim i vazhdueshëm i cilësisë së ushqimit dhe shërbimeve.
- Bashkëpunim me komunat më të vogla fqinje për dhënien e shërbimeve për shkollat e çerdhet e tyre.
NË TË GJITHË KOMUNËN
Kaçaniku 2030 nuk mund të imagjinohet pa transport të sigurt, të rregullt dhe të integruar.
Ne besojmë se lidhja mes lagjeve, fshatrave dhe qytetit duhet të jetë efikase, duke i lehtësuar qytetarët në çdo udhëtim, qoftë për punë, shkollë apo aktivitete kulturore e sociale.
Transporti publik është pjesë e zhvillimit ekonomik dhe turistik. Çdo investim në rrjetin publik është një investim në jetën e qytetarëve dhe prosperitetin e komunës.
Programi ynë ka si qëllim të krijojë një sistem transporti urban me linja të koordinuara, stacione dhe integrim me linjat private për të ofruar një shërbim gjithëpërfshirës.
Masa konkrete:
- Projektimi dhe ndërtimi i stacionit të autobusëve me standarde ndërkombëtare.
- Krijimi i ndërmarrjes komunale për trafikun urban dhe menaxhimin e linjave.
- Blerja dhe zhvillimi i flotës së autobusëve publikë për shërbim të rregullt në të gjithë komunën.
- Ndërtimi i pritoreve dhe stacioneve sipas linjave të trafikut urban.
- Integrimi i linjave private në sistemin e transportit urban përmes biletës së integruar.
- Hartimi i planit të trafikut urban për të lidhur të gjitha lokalitetet, duke siguruar qasje të barabartë për të gjithë qytetarët.
Qeverisja jonë do të mbështesë ata që kanë më së shumti nevojë. Kujdesi për shtresat në nevojë nuk është thjesht obligim ligjor, por një detyrë morale dhe qytetare.
Andaj kemi planifikuar mbështetjen e rritur për shtresat në nevojë dhe për familjet në situata të vështira.
Kemi hartuar masat për sigurimin e shërbimeve sociale për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.
Dhe kemi ideuar përforcimin e mundësive për rritje të cilësisë së jetës për fëmijët dhe familjet.
Masa me të cilat do të mbështesim ata që kanë nevojë:
- Programi i mbështetjes për pensionistët me sëmundje kronike e në gjendje të vështirë financiare për t’ju siguruar shëndet dhe mirëqenie.
- Shuma prej 250 € për çdo fëmijë të lindur për të mbështetur familjet.
- Ndërtimi i banesave sociale dhe renovimi i shtëpive për familjet në nevojë për një standard jetese dinjitoz.
- Qendra sociale ditore për të moshuarit për aktivitete dhe kujdes të vazhdueshëm.
Ne besojmë se fuqizimi i grave dhe rinisë nuk është vetëm një politikë progresiste, por një investim në të ardhmen e Kaçanikut.
Në një komunë të barabartë, vajzat dhe gratë nuk do të mbeten vetëm si përfituese të shërbimeve, por do të jenë bashkëkrijuese të politikave tona.
Programi ynë synon të rrisë përfaqësimin dhe të sigurojë qasje në çdo shërbim.
Programet tona për gratë dhe vajzat janë:
- Mbështetje financiare dhe profesionale për bizneset e grave dhe organizatat e tyre.
- Trajnime dhe fonde të dedikuara për gratë fermere dhe sipërmarrëset e reja.
- Qendra këshillimi për vajza dhe gra në nevojë, me shërbime sociale e psikologjike.
- Mbështetje të posaçme për nënat e reja dhe sigurimin e kushteve më të mira për kujdesin ndaj fëmijëve.
ZHVILLIM I SPORTIT
Kaçaniku ka pasur gjithmonë traditë sporti, por ambientet e pamjaftueshme dhe mungesa e investimeve kanë penguar potencialin e plotë të klubeve dhe të rinjve tanë.
Programi ynë synon të krijojë infrastrukturë të re sportive dhe të mbështesë klubet ekzistuese, duke i dhënë rinisë hapësira të denja për stërvitje, gara dhe aktivitete komunitare.
Sporti duhet të bëhet pjesë e përditshmërisë në qytet dhe fshatra, duke e bërë Kaçanikun një shembull të gjallë të rinisë aktive.
Me prioritet do të nisim punën për këto projekte:
- Ndërtimi i stadiumit të qytetit me standarde moderne dhe kapacitete të mjaftueshme për gara lokale e kombëtare.
- Investime në terrene sportive në fshatra dhe lagje të qytetit, duke siguruar kushte për sportet e lojërave me dorë, futboll, basketboll, volejboll dhe atletikë.
- Mbështetje financiare për klubet sportive komunale.
- Palestra të mbyllura me kushte të plota për sportet individuale dhe klubet lokale.
- Krijimi i një lige komunale të sporteve për shkollat, si mënyrë për të identifikuar dhe nxitur talentet e reja.
- Përshtatja, ndërtimi e shfrytëzimi i palestrave të shkollave pas orarit për stërvitjen e klubeve sportive.
- ZHVILLIM I SPORTIT
- Organizimi i aktiviteteve dhe turneve të rregullta sportive me përfshirjen e gjithë komunitetit.
- Mbështetje e veçantë për Klubin e Mundjes “Kaçaniku”, në infrastrukturë fizike, mjete sportive dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës së Mundjes për mbështetjen në garat ndërkombëtare sportive.
- Organizimi i turneut të përvitshëm të mundjes për vajza dhe për djem në komunën tonë së bashku me Federatën e Mundjes.
- Organizimi i përvitshëm bashkë me Federatën e Boksit i Turneut memorial të boksit “Armend Trena & Malsor Dashi” në nder të dy policëve kaçanikas të rënë në detyrë e të shpallur Heronj të Kosovës.
- Përfshirja e sportit në politikat rinore si mjet i edukimit, shëndetit dhe parandalimit të devijimeve sociale.
- Programe të dedikuara sportive për fëmijët me nevoja të veçanta.
KALENDAR QË GJALLËRON ARTIN
Kultura dhe arti janë ura që lidhin gjeneratat, ato janë gjithashtu hapësirë e lirë për të rinjtë për të shprehur idetë dhe talentet e tyre.
Trashëgimia e pasur e Kaçanikut nga kalaja te traditat e artizanatit do të rivalizohet dhe do të kthehet në ofertë turistike.
Masat tona direkte:
- Rivitalizimi i Kalanë së Qytetit dhe i Kalanë së Tophanes me muze etnologjik dhe aktivitete kulturore.
- Ngritja e mbetjeve arkeologjike para objektit të Komunës.
- Kalendari vjetor kulturor i Komunës dhe organizimi i festivaleve kulturore dhe artistike lokale, shtetërore dhe ndërkombëtare.
- Mbështetje financiare dhe logjistike për shfaqje teatrale, aktivitete muzikore dhe ekspozita.
- Platformë e hapur për artizanët dhe krijuesit lokalë për të ekspozuar e shitur veprat e tyre.
- Përfshirja e të rinjve në projektet kulturore përmes bursave dhe programeve profesionale.
QEVERISJE NË SHËRBIM TË QYTETARËVE
Ne do të transformojmë dhënien e shërbimeve duke i digjitalizuar ato.
Do të punojmë me administratën për ta rritur efikasitetin dhe nivelin e dhënies së shërbimeve.
Do të digjitalizojmë plotësisht arkivën dhe do të transformojmë plotësisht shërbimet për lëshimin e lejeve dhe shërbimeve.
Veprimet konkrete do të jenë këto:
- Digjitalizimi i arkivit dhe krijimi i arkivit elektronik për akses më të lehtë dhe shpejtësi në shërbime.
- Sigurimi i shërbimeve efikase dhe transparente për qytetarët, duke reduktuar vonesat dhe procedurat e panevojshme.
- Lëshimi i lejeve të ndërtimit pa vonesa dhe sipas standardeve ligjore.
- Ndërtimi i Sallës së Kuvendit Komunal për një vend të denjë të debatit dhe vendimmarrjes.
- Hartimi i Kodit të Etikës dhe organizimi i trajnimeve për administratën publike për të rritur profesionalizmin dhe përgjegjësinë.
BESIM DHE EFIKASITET
Qeverisja komunale duhet të jetë një mjet në shërbim të qytetarëve, ku çdo vendim dhe çdo shpenzim të jenë të dukshëm, të kontrollueshëm dhe në funksion të zhvillimit të Kaçanikut.
Besimi i qytetarëve në institucionet tona rritet kur transparenca, llogaridhënia dhe profesionalizmi janë standard i përditshëm.
Na duhet rritja e besimit të qytetarëve në institucionet komunale, menaxhim i qëndrueshëm financiar dhe ulje e borxhit publik.
Na duhet po ashtu rritja e efikasitetit të administratës dhe ulja e korrupsionit.
Projektet dhe veprimet tona:
- Zbatim i të gjitha rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm për menaxhim financiar dhe administrativ.
- Reduktimi i borxheve komunale me 50% brenda mandatit për të siguruar stabilitet financiar.
- Publikim periodik i kontratave, tenderëve dhe shpenzimeve komunale në platformën online për akses të lirë nga qytetarët.
- Funksionalizimi i Njësisë së Auditimit të Brendshëm për kontroll të brendshëm dhe parandalim të keqmenaxhimit.
- Digjitalizimi i plotë i arkivit komunal dhe dokumentacionit të lejeve për shërbime më të shpejta dhe efikase.
- Hartimi dhe miratimi i Planit Zhvillimor Komunal dhe dokumenteve përcjellëse për zhvillim të qëndrueshëm.
- Sistemi i ankesave dhe vlerësimit të shërbimeve publike nga qytetarët për të garantuar pjesëmarrje dhe përmirësim të vazhdueshëm.
Të dashur qytetarë të Kaçanikut,
Sot e kemi para vetes një program që nuk është thjesht një dokument, por është udhërrëfyesi ynë për katër vitet e ardhshme. Është vizioni ynë i përbashkët. E kemi mbështetur mbi nevojat dhe aspiratat tuaja. E ndërtuam nga bisedat e shumta me ju, nga takimet në lagje, fshatra, nga problemet e shprehura prej jush dhe nga dëshira jonë e sinqertë për t’i kthyer qytetarët në qendër të politikës komunale.
Kaçaniku ka nevojë për një qeverisje të ndershme, të përgjegjshme dhe punëtore.
Kaçaniku ka nevojë për një udhëheqje që i njeh e i shquan brengat e qytetarëve. Qeverisje që dëgjon kërkesën e tij, që punon ditë e natë për t’i zgjidhur problemet, jo për t’i fshehur ato. Kaçaniku ka nevojë për një qeverisje ku pushteti është mjet në shërbim të njerëzve.
Me këtë program, ne synojmë të ndërtojmë një komunë të hapur e transparente, ku çdo shpenzim të jetë i ditur për qytetarët, ku çdo kontratë të shihet e të gjykohet nga ju, dhe ku askush të mos e ndiejë se pasuria e përbashkët po shpërdorohet.
Ne synojmë një administratë të thjeshtë, efikase dhe digjitale, që nuk lodh qytetarët me procedura të panevojshme, por i lehtëson ata me shërbime të shpejta e cilësore.
Qeverisja duhet të prodhojë zhvillim. Zhvillim që gjeneron vende pune, që e gjallëron ekonominë lokale, që i bën fermerët më të fortë, bizneset më konkurruese, e të rinjtë më të guximshëm për të hapur ndërmarrjet e tyre.
Kaçaniku ka potenciale të pashfrytëzuara nga bujqësia te turizmi malor, nga mërgata te arti e kultura. Ky program është rruga për t’i vënë ato në funksion të përparimit të qytetit dhe fshatrave tona.
Rinia dhe gratë do të jenë shtylla e këtij zhvillimi.
Ne nuk duam që të rinjtë të shohin të ardhmen vetëm jashtë Kaçanikut. Ne duam që e ardhmja e tyre të ndërtohet këtu, me punë të denjë, me arsim cilësor, me hapësira për aktivitete e me mundësi për të qenë pjesë e vendimmarrjes.
Po ashtu, gratë nuk do të jenë më të anashkaluara nga qeverisja komunale. Ne së bashku do t’i mbështesim ato me fonde, trajnime e përfaqësim të barabartë.
Në këtë program, një vend të veçantë ka edhe mërgata jonë.
Është koha që të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi, që investimet e tyre të vijnë në vendlindje, që përvoja e tyre të lidhet me zhvillimin tonë, që e lidhja ta mos mbetet vetëm emocionale, por të jetë ekonomike dhe institucionale.
Ne besojmë se çdo qytetar duhet ta ndiejë veten pjesë të këtij zhvillimi. Ky program nuk është për pakicën, por për të gjithë.
Ne jemi përgatitur për t’i dhënë Komunës tonë infrastrukturë të denjë, shëndetësi e arsim cilësor, kulturë e sport të gjallëruar, bujqësi të zhvilluar e ambient të pastër e të gjelbër.
Një Kaçanik që nuk e braktis askënd, por kujdeset për ata që kanë më së shumti nevojë, për të moshuarit, për familjet, për fëmijët dhe për këdo që ka nevojë për ndihmë për t’ia dalë mbanë.
Unë dhe ekipi im e dimë se rruga që kemi para nuk është aspak e lehtë. Por ne e kemi vullnetin, përkushtimin dhe vendosmërinë për ta përmbushur këtë program. Jemi përgatitur gjatë për këtë.
Andaj me përulësi dhe vendosmëri, ju ftoj që këtë vizion ta bëjmë realitet së bashku.
Të ndërtojmë një komunë funksionale e zhvillimore, të drejtë dhe të barabartë.
Një Kaçanik modern, tërheqës dhe dinjitoz.
Një Kaçanik që është shtëpia jonë e përbashkët, ku secili ndihet krenar të jetojë.
I juaji, Jeton Raka
Për një Kaçanik që i përket secilit!